Pezullohen lejet e ndërtimit në zonat e dëmtuara nga tërmeti, merret vendim për ndërtimet para vitit 93 dhe godinat në ” Qytetin Studenti “

Pas tërmetit shkatërrues të 26 nentorit, qeveria ka marrë vendimin për të pezulluar lejet e ndërtimit në zonat e prekura nga ndërtimi, në Tiranë, Durrës dhe Lezhë.

Njoftimi zyrtar është bërë nga Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. “Bazuar në kërkesën e disa bashkive të prekura nga dëmet e tërmetit të datës 26.11., si dhe në kuadër të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore për qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë si pasojë e tërmetit të datës 26.11.2019, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave nr.750, datë 27.11.2019, ndryshuar me VKM Nr.751 datë 29.11.2019, ju njoftojmë se është realizuar me sukses pezullimi i aplikimi për leje ndërtimi në qarqet Tiranë, Durrës, Lezhë”, thuhet në njoftim. Për këto qarqe mund të aplikohet shërbimi vetëm “Aplikim për leje ndërtimi, riparimi, restaurimi (rastet e emergjencave civile). Njoftimi i është shpërndarë edhe bashkive që janë në këto tre qarqe si Durrës, Tiranë, Vorë, Shijak, Krujë, Kavajë, Shijak, Kamëz dhe Kurbin.

Sipërfaqja e dhënë për leje arriti në nivel rekord për 9 mujorin

Përpara se të binte tërmeti, vrulli i ndërtimeve nuk kishte të ndalur. Të dhënat e publikuara së fundmi nga INSTAT për lejet e ndërtimit, në tremujorin e tretë, tregojnë se për 9-mujorin 2019, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet arriti në 1.3 milionë metra katrorë, duke u rritur me gati 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe trefishin në krahasim me 9-mujorin 2017. Vetëm në tremujorin e tretë, sipërfaqja e dhënë për leje në kryeqytet është 557 mijë metra katrorë, ose 81% e së gjithë sipërfaqes së dhënë në vend, duke shënuar një nivel rekord të viteve të fundit.

Ndërkohë, Bashkia Tiranë dy vitet e fundit po siguronte gati një të tretën e të ardhurave të veta nga taksa e ndikimit të infrastrukturës dhe ndalimi i lejeve pritet që të presë një nga burimet më të mëdha të të ardhurave për këtë bashki. Projekti financatvendore.al, që monitoron shpenzimet e bashkive e kishte theksuar disa herë varësinë e të ardhurave të buxheteve të bashkive, sidomos të zonave kryesore në Durrës e Tiranë, nga taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja. Për të gjithë vendin, INSTAT raportoi se në  tremujorin e tretë 2019 janë miratuar gjithsej 293 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 343 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2018, duke shënuar një rënie prej 14,6 %. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2019, është 685.455 m², nga 330.725 m² miratuar në tremujorin e tretë 2018, duke shënuar një rritje me 2,1 herë.

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur të shembë tre godina në Qytet Studenti përkatësisht 15,18,19, kjo pasi tërmeti solli dëmtime serioze në strukturën e tyre.

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Tiranës ka vendosur që shembjen e tyre ta realizojë me mjete të tonazhit të rendë dhe jo eksploziv, pasi shpërthimi i tij mund të dëmtoj godinat e tjera përreth. Sipas nenkryetarit të Bashkisë së Tiranës, objektivi kryesor është rivendosja e strukturave siç ishin. “Ne jemi në diskutim për të filluar punimet për 4 objektet e para në Qytet Student, si dhe jemi në fazën e studimit të 5 objekteve të tjera”, u shpreh Mazniku.

Bashkëpunimi jonë me qeverinë gjermane do të mundësojë që brenda një periudhe 3-4 vjeçare të kemi mundësi të rindërtojmë të gjitha objektet e Qytet Studentit për t’i kthyer ato në një kampus modern. Nën kujdesine vecantë të kryeministrit është dhe inkorporimi i kampusit në universitetin e Tiranës, si pjesë e paktit për universitetin. Integrohet jeta e pas shkollës që do të thotë një qendër sportive, kulturore vendet ku kanë mundësi të mësojnë si dhe pjesa e fjetjes. Pra një kampus i integruar në atë zonë.

Të gjitha pallatet e ndërtuara përpara vitit 1993 do t’i nënshtrohen rikonstruksionit. 

Ky vendim vjen pas tërmetit të 26 nëntorit, për të shmangur një tjetër tragjedi të ngjashme. Për të vënë në zbatim këtë vendim, në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak u vendos krijimi i armatës me 100 punëtor ndërtimi që do të riparojnë pallatet e ndërtuara para këtij viti. Kjo forcë do të jetë në varësi të Drejtorisë së Rrugëve pranë Bashkisë së Durrësit. Tërmeti i 26 nëntorit nxori më pah që pallatet e ndërtuara në periudhën e komunizmit, një pjesë e tyre me punë vullnetare nga të burgosurit, ishin më të dobëta nga pikëpamja strukturore, sesa ato të ndërtuara në demokraci. Rasti më i fundit ishte ai i pallatit në Thumanë, i cili mori 24 jetë nën rrënoja. Ai ishte ndërtuar me punë vullnetare para viteve 1990.

Tërmeti i 26 nëntorit mendohet se do të ketë një efekt të drejtpërdrejtë në tregun imobiliar në tërësi. 

Hapi i parë i këtij ndryshimi do të jetë rritja e kërkesës për apartamente me qera, dhe si rezultat i kësaj do të ketë një rritje të çmimeve të qerave. Efekti i radhës do të jetë zhvlerësimi i apartamenteve të cilët nuk janë ndërtuar sipas standarteve të nevojshme, duke sjellë pasiguri dhe rënie të kërkesës për këto apartamente. Në këtë kategori do të futen pallatet e ndërtuara para viteve 90 dhe pallatet e tjera të ndërtuara rreth viteve 2000. Çmimet e këtyre apartamenteve do të pësojnë pashmangshmërisht rënie, jo vetëm për shkak të pasigurisë që solli termeti i nëntorit, por edhe rritja në masë e ndërtimeve (ofertës) të apartamenteve të reja. Në aspektin afatgjatë, do të ketë një rritje të standartit të ndërtimit të pallateve të reja, duke sjellë kështu edhe rritjen e çmimeve, si rezultat i rritjes së kostos së ndërtimit.

Më poshtë po japim disa raste riparimi dhe riforcimi të strukturave të dëmtuara rëndë.

Çdo strukturë është e riparueshme po a ja vlen kosto e riparimit ?