Në janar hyn në fuqi ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtëshme dhe paketa e re fiskale

Nga 14 janari hyn në fuqi ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, që është miratuar në Kuvend në fund të vitit të kaluar. Ky ligj, që është konsideruar si një “amnisti” e radhës, ul shumë detyrimin që paguhet në rast të shitjes së banesës, ose një objekti tjetër të paluajtshëm, i cili normalisht është sa 15% e fitimit.

Sipas ligjit, të publikuar në Fletoren Zyrtare, pas dekretimit nga presidenti, rivlerësimi mund të bëhet me vlerën e tregut të pasurisë bazuar në një akt ekspertimi lëshuar nga një ekspert i licensuar. Tatimi që individët do duhet të paguajnë për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 3% e diferencës mes vlerës së rivlerësuar si më lart dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar më parë (për të cilën është paguar tatimi më herët).

Kjo ka vlerë vetëm për qytetarët. Ndërsa tatimi që personat juridikë do duhet të paguajnë në këtë rast është 5% e diferencës mes vlerës së rivlerësuar dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme.

Ligji më i fundit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, i ngjashëm me të tanishmin, ka qenë në fuqi për një periudhë të kufizuar nga 20 gushti 2016 deri më 31 maj 2017 (afati fillestar ishte 28 shkurt 2017). Në ndryshim nga ligji i ri i tanishëm, në bazë të ligjit të mëparshëm, tatimi i pagueshëm nga individët ishte 2%, ndërsa nga personat juridikë 3%.

Me ardhjen e vitit 2020, hyn në fuqi edhe paketa fiskale e hartuar nga Ministria e Financave dhe e miratuar në Komisionet parlamentare dhe Kuvend. Konkretisht është ndërhyrë në disa ligje të rëndësishme dhe me impakt në buxhetin e shtetit dhe tek të ardhurat.

Duke filluar nga data 1 janar hyn në fuqi vendimi për të tatuar të dy-punësuarit për totalin e të ardhurave. Pra në rast se një person është i dy-punësuar me pagën minimale nën 30 mijë lekë që nuk tatohet tashmë do të paguajnë tatim mbi të ardhurat për shumatoren e dy pagave, pra do të paguaj tatim për 60 mijë lekë.

Një tjetër ndryshim që ka pësuar ligji për tatimin mbi të ardhurat është edhe heqja e tatimit prej 15% për kalimin e të drejtës së pronësisë për banesën ose truallin, brenda lidhjes gjinore në familje, bashkëshort, bashkëshorte, fëmijë, vetëm një herë ndaj një përfituesi, nëpërmjet dhurimit. Po ashtu është parashikuar që të përfitojnë nga lehtësimi prej taksave kompanitë e mëdha, me një xhiro vjetore të deklaruar prej më shumë se 100 milionë lekësh, në rast se sponsorizojnë ekipe sportive. Pra, nuk do të paguajë tatimin prej 15 përqindësh për 30 milionë lekë.

Dy ligje të tjera të ndryshuara janë ai i TVSH-së dhe ligji “Për Taksat Kombëtare”, të ndryshuar ku janë përjashtuar nga detyrimet makinat historike, është hequr TVSH për makinat elektrike, është reduktuar në masën e 6% TVSH për mjetet e transportit publik që kanë motor elektrike si dhe janë insentivuar makinat luksoze duke reduktuar tatimin që duhet të paguajnë.

Ndërsa ndryshimet më të mëdha janë bërë në ligjin për procedurat tatimore, pasi është përshtatur me ligjin e fiskalizimit, ku ka një masë të shtuar për gjobat ndaj bizneseve që konstatohen në shkelje. Nga 1 janari fillon edhe implementimi gradual i aplikacioneve të reja të fiskalizimit që do të përdoren tashmë për të printuar faturat elektronike. Ky sistem do të sjell sipas Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Tatimeve ulje të informalitetit pasi çdo shitje blerje do të monitorohet në kohë reale.