Si aplikohet për leje punimesh në apartamente apo kate shtesë në Bashkinë e Tiranës?

Disa raste specifike që u interesojnë qytetarëve siç është mënyra se si aplikohet për shtesë kati, si kërkohet leje për ndërtimin apo për prishjen e një muri dhe për mënyrën se si kryhet aplikimi në Bashki.

Cilat janë punimet që kërkojnë leje nga Bashkia dhe cilat nga njësia administrative?

Ka disa punime, si ato të mirëmbajtjes së zakonshme, p.sh. ato që parashikojnë rinovimin apo zëvendësimin e disa strukturave ekzistuese apo impianteve, për të cilat bëhet një kërkesë e thjeshtë në njësinë administrative. Për ta thjeshtuar edhe më shumë për personat e interesuar, mund të bëjmë një listë të këtyre punimeve: riparimi ose zëvendësimi i dyshemesë, rifreskimi i ngjyrave të fasadës apo suvatimi i saj, zëvendësimi i dritareve ose i dyerve të brendshme ose të jashtme. Për të gjitha këto lloje punimesh, të cilat hyjnë në kategorinë e mirëmbajtjes së zakonshme, kërkohet një leje nga njësia administrative. Personi i interesuar paraqitet me një dokument pronësie dhe nënshkruan kërkesën. Pasi aprovohet kërkesa, vazhdohet me kryerjen e punimeve. Legjislacioni në fuqi thekson pikërisht se, për kryerjen e këtyre punimeve nuk është e nevojshme që personat e interesuar të pajisen me leje ndërtimi. Këto janë punime, të cilat qytetari mund t’i kryejë, por për të pasur një lloj sigurie se punimet që po kryhen nuk janë në kundërshtim me ligjin, duhet që ai të drejtohet në njësinë e tij administrative dhe të marrë një aprovim ligjor për punimet që do të kryejë.

Çfarë është deklarata paraprake e punimeve?

Në këtë rast bëhet fjalë për disa punime të tjera, pak më të rëndësishme, si p.sh. ndërtimi i një muri të ri, krijimi i një nyjeje të re higjineno-sanitare, ndryshimi i disa çarjeve të dritareve apo të dyerve. Të gjitha këto janë punime, të cilat kanë nevojë të ndiqen nga një profesionist i licensuar, sepse sigurisht që prishja e një muri jo mbajtës apo ndërtimi i një muri tjetër, ka nevojë që të mbikëqyret nga një arkitekt ose nga një inxhinier. Në këtë rast nuk është më njësia addministrative, ajo që ka mundësinë për të kontrolluar këto lloje punimesh, por është Bashkia dhe konkretisht Drejtoria e Kontrollit të zhvillimit të Territorit, e cila kontrollon nëse ndërhyrjet janë në përputhje me ligjin apo jo. Por, ajo që është shumë e rëndësishme, është se kjo quhet një deklaratë paraprake punimesh. Pra, është një lloj deklarate që qytetari bën pranë Bashkisë dhe nuk pret miratim. Ai dorëzon të gjithë dokumentacionin e duhur në Bashki. Më saktë, e dorëzon arkitekti, i cili hyn në portalin e-Albania dhe më pas në portalin e-leje, ku paraqet aplikimin e tij. Brenda 5 ditëve ai merr një pranim ose një refuzim të kësaj deklarate. Prandaj mund të themi që kjo është një procedurë e përshpejtuar sepse kërkon vetëm 5 ditë pune. Parashikon që një arkitekt të aplikojë me një listë të shkurtuar dokumentesh dhe më pas të marrë përgjigje nëpërmjet sistemit online. Dokumenti miratohet dhe firmoset nëpërmjet firmave digjitale, i cili printohet dhe i dorëzohet zhvilluesit, pra qytetarit që e ka bërë këtë kërkesë.

Po nëse qytetari ka vetëm dokumentin e legalizimit dhe jo atë të pronësisë, a mundet që të aplikojë për leje punimesh në Bashki?

Nëse qytetari duhet të bëjë deklaratën paraprake të punimeve, ne pranojmë që ai, nëpërmjet një arkitekti apo aplikuesi online të paraqesë një leje legalizimi. Kemi edhe raste të tjera kur qytetari ka kontrata sipërmarrjeje dhe kontrata porosie. Këto dokumente janë të nevojshme dhe të mjaftueshme për këto lloje punimesh. Kur duhet pastaj një leje për mbyllje karabinaje, leje për banesë ose për rikonstruksion, do të thotë që kemi të bëjmë me një kategori tjetër aplikimi. Për këto lloje punimesh duhet një leje e mirëfilltë ndërtimi. Në këto raste është e detyrueshme që personi i interesuar të zotërojë një dokument zyrtar pronësie. Nëse qytetari nuk e ka marrë ende dokumentin e pronësisë, duhet që të presë derisa të dalë VKM-ja dhe pastaj ai të marrë lejen e ndërtimit. Ndërsa për deklaratën paraprake mund të aplikohet me lejen e legalizimit ose thjesht me një kontratratë porosie apo sipërmarrjeje.

Si mund të aplikohet për ndërtimin e kateve shtesë?

Leja e ndërtimit për një kat shtesë, me miratimin e planit të ri rregullues të Tiranës, “Tirana TR030”, ka pësuar disa lehtësime. Nëse më parë ishte gjithsesi i nevojshëm një studim përpara se të aplikohej për një shtesë kati, plani i ri mundëson shtesën e një kati, direkt me kërkesën për leje rikonstruksioni ose leje për shtesën e katit. Sigurisht që duhet të respektohen parametrat, distancat nga kufiri i pronës, nga objektet përreth, nga trupi i rrugës. Por ajo që është shumë e rëndësishme, është që shpesh qytetarët kanë një pronë të vogël dhe kërkojnë një shtesë kati. Nëse do të aplikoheshin studimet si më parë, nuk do të kishte mundësi, sepse intensiteti i ndërtimit do të ishte ezauruar. Ndërsa me planin e ri dhe me lejen e ndërtimit, siç aplikohet sot, intensiteti për këto raste nuk llogaritet. Pra qytetarët kanë të drejtë por vetëm për një kat shtesë dhe vetëm një herë, që të aplikojnë për lejen e shtesës së katit, e cila ndjek procedurën e të gjitha lejeve online.

Qytetarët duhet të marrin leje për të ndërtuar, por ata duhet të marrin leje edhe për të prishur një mur dhe shpeshherë ata acarohen se u duket jo e drejtë që të kenë leje për të prishur. Si veprohet në këtë rast?

Lejohet të prishet një mur jo mbajtës, sepse duhet që të garantohet siguria e të gjithë pallatit. Personi i interesuar për prishjen e një muri, mund të aplikojë me anën e deklaratës paraprake të punimeve. Gjithmonë është arkitekti ose inxhinieri ai që firmos dhe që mban përgjegjësinë e tij për atë çfarë do të prishë dhe për atë çfarë deklaron. Kjo është një procedurë që duhet sepse garanton edhe sigurinë e vetë qytetarit, por edhe atë të fqinjëve të tij.

Si aplikohet për të ndryshuar destinacionin e ambientit, të pronës?

Kjo është aktuale sepse shumë njësi, gjatë viteve, janë transformuar nga apartamente banimi në biznese. Në këto raste, taksa e pronës është ndryshe për një ambient banimi dhe ndryshe për një ambient shërbimi, sepse kur regjistrohet biznesi ka detyrim tjetër. Kemi një fluks të jashtëzakonshëm për ndryshimin e destinacionit të njësisë, për të cilin ka vetëm një kusht në legjislacion: mosndryshimin e sistemit konstruktiv. Siç e përmenda edhe më parë, pallatet e ndërtuara para viteve ’90, shpesh kanë një sistem konstruktiv mbajtës me mure mbajtëse. Prandaj, çarja e mureve, ndryshimi i sistemit konstruktiv mund të sjellë pasoja në të gjithë qëndrueshmërinë sizmike të pallatit. Për këtë arsye nuk lejohet ky veprim. Vetëm nëse këto njësi janë transformuar, pa ndërhyrë në sistemin e tyre konstruktiv, atëherë qytetarët mund të aplikojnë për lejen e ndryshimit të destinacionit, nëpërmjet sistemit online të lejeve, por gjithmonë me anën e një studioje apo të një arkitekti të licensuar dhe të pajisur me USB-në, me anën e së cilës mund të bëjë aplikimin online.

Jam banor i Tiranës. Në vitin 2006 kam bërë vetëdeklarimin dhe nuk më ka dalë ende miratimi. Dua të ndërtoj një shtesë kati. Prona është e imja dhe e kam me dokumente të rregullta ligjore. Jemi disa familje, kemi bërë një kat të nëndheshëm dhe duam që të ndërtojmë edhe dy kate të tjera shtesë. Si duhet të veprojmë?

Shtesa e katit lejohet vetëm për një kat, nuk mund të ndërtohet më shumë se një kat shtesë. Kështu e parashikon plani rregullues. Por, duke qenë se zotëria ka pronën e tij dhe meqë ka nevojë dhe janë disa familje, unë do të shikoja mundësinë për të parë shtesën anësor, pra mundësinë për të bashkuar dy procedura që ne kemi, një shtesë anësore dhe shtesën e një kati. Për pjesën e banesës ekzistuese, ne sigurisht sugjerojmë që me këtë rast të bëhet një rikonstruksion i objektit dhe një veshje me termoizolim, që sigurisht që favorizon dhe ndihmon në kushtet e jetesës dhe në faturat që paguhen.