Procedurat se si do të kryhet largimi nga banesa apo strehimi nga shpronësimet

Në mbledhjen e fundit të qeverisë janë përcaktuar edhe procedurat se si do të kryhet largimi nga banesa apo strehimi i individëve apo familjeve, kur një gjë e tillë është e justifikuar me ligj.

Drejtësia


VKM përcakton se procedurat e zhvendosjes realizohen në respektim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si dhe të të drejtave e lirive të njeriut të garantuara në Republikën e Shqipërisë e sipas standardeve ndërkombëtare të zbatueshme në vend, përfshirë të drejtën për kushte të përshtatshme strehimi. Të gjithë individët/familjet e prekur/a nga zhvendosja gëzojnë mbrojtje juridike të njëjtë, pavarësisht nëse gëzojnë apo jo titull pronësie mbi banesën apo pronën nga e cila zhvendosen.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, gjatë procedurës së zhvendosjes, respektojnë, mbrojnë dhe përmbushin të gjitha të drejtat e liritë themelore të njeriut, duke garantuar, si më poshtë vijon: individët/familjet, që i nënshtrohen procedurës së zhvendosjes, përfitojnë strehim të përshtatshëm dhe gëzojnë mjetin ligjor mbrojtës ndaj vendimmarrjes për zhvendosje të parashikuar nga legjislacioni në fuqi; strehimi i përshtatshëm i garantohet pa diskriminim për shkak gjinie, race, feje, etnie, gjuhe, bindjeje politike, fetare a filozofike, gjendjeje ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësie prindërore, ngjyre, shtetësie, orientimi seksual, shtatzënie, përgjegjësie prindërore, moshe, gjendjeje familjare ose martesore, gjendjeje civile, vendbanimi, gjendjeje shëndetësore, predispozicioni gjenetik, aftësie të kufizuar, përkatësie në një grup të veçantë, ose për çdo shkak tjetër, cilitdo/cilësdo individi/familjeje që i nënshtrohet procedurës së zhvendosjes. Po kështu, individi/familja, që nuk e gëzon të drejtën e pronësisë, gëzon të drejtën për risistemim e ristrehim, në përputhje me kriteret, si: siguria, aksesueshmëria, kostoja e përballueshme e banesës, kushtet e banimit, shprehja e identitetit kulturor dhe aksesi në shërbime bazë, kujdesi social, shëndetësor dhe arsimi. Individi/familja, që gëzon të drejtën e pronësisë mbi pronën nga e cila zhvendoset, gëzon të drejtën për kompensim të drejtë, në përputhje me legjislacionin për shpronësimet.

VKM parashikon që individët/familjet, që u nënshtrohen procedurave të zhvendosjes, informohen, pa kërkesë, në përputhje me legjislacion në fuqi për të drejtën e informimit, përmes mjeteve të ndryshme të informimit e duke garantuar aksesin në informacion edhe për grupe vulnerabël apo pakica, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuar.

Procedura


Procedura e zhvendosjes duhet të realizohet në përputhje me parashikimet e ligjit nr.22/2018; të kryhet në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të ratifikuara me ligj; të kryhet vetëm për qëllim të përkrahjes së mirëqenies së përgjithshme; të jetë e arsyeshme dhe proporcionale; të miratohet e të zbatohet në mënyrë të tillë që të mundësojë kompensim të drejtë.

Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në aktet që përmbajnë fitimin e pronësisë dhe të të drejtave reale mbi pasuritë e paluajtshme, përfshijnë shprehimisht referimin e identitetit dhe të cilësimit si bashkëpronar të secilit anëtar madhor të familjes dhe/ose të dy bashkëshortëve.

Individi/familja, ndaj të cilit/së cilës fillon procesi administrativ i zhvendosjes, nuk duhet të mbetet i/e pastrehë ose të vihet në një situatë që e bën atë vulnerabël ndaj shkeljes së të drejtave të tjera të njeriut. Zhvendosja nuk zbatohet pa siguruar më parë sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpronësim. Njësia e vetëqeverisjes vendore garanton dhe ofron një strehim të përshtatshëm alternativ, risistemim në një vend tjetër ose akses në tokë prodhuese, sipas rastit, sa më pranë vendbanimit fillestar e burimit të jetesës së të zhvendosurve.

Njësia e vetëqeverisjes vendore merr të gjitha masat për risistemim, si: ndërtimi i banesave, sigurimi i furnizimit me ujë, furnizimi me energji elektrike, sigurimi i higjienës, i shkollimit, aksesi në infrastrukturë rrugore dhe mjedise të përbashkëta komunitare, në pajtim me parimet e politikave të strehimit dhe i siguron ato përpara se individi/familja të zhvendoset nga banesa e vet fillestare.

Bashkitë


Procedura e zhvendosjes realizohet nga njësia e vetëqeverisjes vendore. Individët/familjet, që preken nga zhvendosja, përfitojnë ndihmë juridike në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën juridike të garantuar nga shteti. Njësia e vetëqeverisjes vendore, në aktin e njoftimit individit/familjes për fillimin e procedurave administrative të zhvendosjes, i njofton ata edhe për mundësinë e përfitimit nga ndihma juridike e garantuar nga shteti, duke i informuar edhe për organin publik të krijuar për administrimin e kësaj ndihme, si dhe kontaktin e këtij organi.

Njësia e vetëqeverisjes vendore zbaton zhvendosjen, pasi siguron sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpërblim në përputhje me procedurat e shpronësimit. Këto individë/familje përfitojnë strehim sipas njërit prej programeve sociale të strehimit për një periudhë të pacaktuar deri në momentin e konstatimit të përmirësimit të gjendjes ekonomike.

Njësia e vetëqeverisjes vendore ofron atë mundësi strehimi që i përshtatet më mirë individit/familjes nga pikëpamja ekonomike, sociale, familjare e kulturore. Njësia e vetëqeverisjes vendore ofron strehimin përmes subvencionimit të qirasë, vetëm pasi ka siguruar kontrata me pronarin social.

Njësia e vetëqeverisjes vendore njofton me shkrim individin/familjen për arsyet e zhvendosjes 30 (tridhjetë) ditë para nxjerrjes së aktit administrativ për zhvendosjen nga banesa.

Zhvendosja


Në rastet kur paraqitet e nevojshme, çdo përdorim i ligjshëm i forcës duhet të jetë në respektim të parimeve të nevojës dhe të proporcionalitetit. Punonjësit e zbatimit të ligjit nuk tejkalojnë asnjë parim bazë të përdorimit të forcës dhe respektojnë legjislacionin në fuqi për përdorimin e armëve. Nuk lejohet asnjë zhvendosje të ekzekutohet në mot të keq, gjatë orarit nga ora 19:00 pasdite deri 7:00 të mëngjesit, gjatë festave ose pushimeve fetare, gjatë fushatave zgjedhore ose gjatë, ose deri dy muaj përpara provimeve përfundimtare të shkollimit të detyrueshëm.

Gjatë ekzekutimit të zhvendosjes, grupi i punës, si dhe të gjithë punonjësit e tjerë të përfshirë në procesin e zhvendosjes, sipas këtij vendimi, marrin masa për të garantuar që askush të mos jetë objekt i sulmeve të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta, i akteve të tjera të dhunës, veçanërisht ndaj grave, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuar, moshës së tretë, romëve e egjiptianëve, si dhe garantojnë që askush të mos privohet në mënyrë arbitrare nga pronat ose zotërimet për shkak të shembjeve, zjarrit dhe formave të tjera të shkatërrimit të qëllimshëm, neglizhencës ose çdo forme dënimi kolektiv.

Njoftimet


Njësia e vetëqeverisjes vendore njofton Avokatin e Popullit për çdo procedurë zhvendosjeje të nisur. Në rastet kur Avokati i Popullit, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, miraton rekomandime, ato publikohen edhe në faqen zyrtare të internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Njësia e vetëqeverisjes vendore njofton prefektin e qarkut për çdo procedurë zhvendosjeje që ndodh brenda juridiksionit të këtij të fundit. Për çdo procedurë zhvendosjeje, prefekti ngarkon një përfaqësues për të ndjekur punën e grupit të punës të ngritur nga njësia e vetëqeverisjes vendore, si dhe të gjithë procedurën e kryer.

Procedurat e zhvendosjeve janë të hapura për organizatat e shoqërisë civile. Njësia e vetëqeverisjes vendore, ku zhvillohet procedura e zhvendosjes, bën një njoftim publik, përmes të cilit fton organizatat e shoqërisë civile të interesuara të ndjekin procedurën e zhvendosjes. Në rastet kur organizatat e shoqërisë civile hartojnë raport për procedurën e zhvendosjes, kujdesen që t’i paraqesin një kopje të këtij raporti njësisë së vetëqeverisjes vendore.

Detaje

Strehimi
Njësia e vetëqeverisjes vendore zbaton zhvendosjen, pasi siguron sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve/familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpërblim në përputhje me procedurat e shpronësimit

Ndalimet
Nuk lejohet zhvendosja të ekzekutohet në mot të keq, nga ora 19:00 deri 7:00, gjatë festave fetare, gjatë fushatave zgjedhore ose gjatë, ose deri dy muaj përpara provimeve përfundimtare të shkollimit të detyrueshëm