Ndërtesat, logjika e re e taksës “më thuaj ku jeton, të të them sa paguan” …

Taksimi për ndërtesat apo njësitë pronësore sot, sipas kuadrit ligjor, bëhet në bazë të disa specifikave. Së pari, duhet pasur parasysh çfarë kategorie ndërtese është ajo apo funksioni që kryen, së dyti nëse është ndërtim i para vitit 1993 apo pas vitit 1993 dhe në çfarë zone ndodhet. Me një vendim të veçantë, atë 132, qeveria përcaktoi një vit më parë edhe çmimet referencë që do të mbahen parasysh për të llogaritur vlerën e një banese në treg.

Çdo njësi, që të ketë një taksë të përllogaritur sipas metodologjisë së re, duhet të ketë të plotësuar specifika të tilla si sipërfaqja, zona ku ndodhet dhe normalisht funksionin e saj. Vlera e pasurisë llogaritet duke shumëzuar çmimin për metër katror i përcaktuar në VKM-në e qeverisë me sipërfaqen e njësisë pronësore. Taksa llogaritet sa 0.05% e kësaj vlere. Për ndërtesat e ndërtuara para vitit 1993 apo ato që konsiderohen si apartamente të vjetër, çmimi për metër/katror llogaritet sa 70% e atyre referencë të përcaktuar në vendimin e qeverisë. Ndërtesat që shërbejnë për veprimtari ekonomike, nga ana tjetër, do të taksohen në vlerën 0.2% të vlerës së tregut që ka njësia e tyre pronësore.

Qytetarët paguajnë më shumë, bizneset në një pjesë të mirë më pak

Taksa e ndërtesës, sipas formulës së vjetër, nuk bënte diferencim nëse pozicionimi ishte në ish-Bllok, në Paskuqan apo në Fresk, madje dhe në Durrës. Nëse apartamenti yt kishte një sipërfaqe 100 metra katrorë, do të paguaje 3000 lekë nëse ishte ndërtuar pas vitit 1993. Sot nëse ti ke një apartament në ish-Bllok do të paguash 1.2 herë më shumë sesa paguaje.

Për shembull, qytetari X ka një apartament 100 m2 në zonën e stadiumit “Selman Stërmasi” apo Liqenit Artificial. Çmimi referencë për këtë zonë është 132 mijë lekë për metër/katror. Në total, vlera e apartamentit llogaritet 13.2 milionë lekë. Shuma vjetore e taksës llogaritet 6600 lekë. Duke qenë se taksa arkëtohet në një pjesë të mirë të bashkive në faturat e ujit do të thotë që mbledhja e saj do të shtrihet gjatë 12 muajve dhe vlera mujore për taksën në çdo faturë i korrespondon 550 lekë.

Një qytetar që jeton në zonën e “Ali Demit” në një apartament me të njëjtën sipërfaqe dhe me të njëjtat karakteristika nuk do të paguajë njëlloj me qytetarin në ish-Bllok sikurse ndodhte deri dje. Apartamenti i tij me sipërfaqe 100 metra katrorë i pas vitit 1993 ka në bazë një çmim reference të ndryshëm prej 97.7 mijë lekësh për metër/katror. Vlera e tregut për këtë apartament është 9.77 milionë lekë. Taksa që ai do të paguajë është sa 0.05% e vlerës së apartamentit apo 4885 lekë në vit, çka në bazë mujore është 407 lekë. Këtij qytetari i është rritur taksa e pronës me 63% në raport me taksën e mëparshme që kishte metodologji tjetër.

Biznesi, nga ana tjetër, që ka qenë edhe më i predispozuar që të bëjë pagesat, ka përfituar nga taksa e re e ndërtesës, sepse me metodologjinë e re ata paguajnë më pak sesa paguanin më parë.

Me formulën e vjetër, biznesi nëse operonte në zonën Tiranë ose Durrës, paguante 400 lekë/m2 për sipërfaqen ku ushtronte aktivitetin. Kështu, për shembull, një biznes që ushtron aktivitet në njësinë e tij pronësore me sipërfaqe 100 m2 në zonën e “Ali Demit” dikur duhet të paguante 40 mijë lekë. Sot me metodologjinë e re duhet të paguajë sipas vlerës së tregut.

Qeveria ka përcaktuar se për bizneset, çmimi referues për njësitë që shërbejnë për veprimtari ekonomike do të jetë 1.5 herë më i lartë sesa referenca që përdoret për njësitë për banim, ndërkohë që për Tiranën ky koeficient do të jetë 2. Praktikisht në zonën e “Ali Demit” ka një çmim referencë 97.7 shumëzim 2, duke na dhënë një çmim për m² në vlerën 195.4 mijë lekë. Vlera e njësisë pronësore me sipërfaqe 100 m² që kemi marrë si shembull shkon në 19.54 milionë lekë. Koeficienti 0.2% i kësaj vlere na jep një taksë 39,080 lekë apo rreth 1000 lekë më pak se taksa me formulën e vjetër.

E njëjta njësi pronësore në zonën stadiumit apo Liqenit Artificial do të paguajë më shumë 12 800 lekë më shumë. Në pjesën më të madhe të zonave në Tiranë por edhe në vend, bizneset paguajnë me metodologjinë e re më pak sesa paguanin më herët.

Bashkitë mund të ulin ose rrisin shkallën e taksimit me 30%

Qeveria i ka lënë dorë të lirë pushtetit vendor që të ndryshojë shkallën e taksës me vendim të këshillit bashkiak në një marzh deri në 35%, ndërsa për Bashkinë e Tiranës, ky reduktim kufizohet deri 30%. “Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, jo më shpesh se një herë në vit, për banesat në njësitë administrative jashtë qytetit përkatës, të cilat iu bashkuan njësive të qeverisjes vendore pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 115/2014, mund të reduktojë çmimin mesatar referues të përcaktuar në aneksin 1, deri në masën minus 35 (tridhjetë e pesë) për qind, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale.

Në zonat që përfshihen në Bashkinë e Tiranës, ky reduktim është deri në 30 (tridhjetë) për qind, krahasuar me çmimin e zonës më të afërt, përjashtuar zonat rezidenciale” thuhet në vendim. Kjo do të thotë që sipas vlerësimeve që bën çdo bashki qytetarët mund të paguajnë një vlerë më modeste se ajo që ka përcaktuar qeverisja qendrore ose më të kripur gjithashtu.

Drejtoria e Taksës së Pasurisë nuk ka sot një raport të plotë për mënyrën sesi e kanë kaluar bashkitë taksën e pronës në vendimet e tyre të këshillave bashkiakë. Pra sa prej tyre kanë mbajtur vlerën që ka reflektuar kuadri ligjor i kaluar nga qeveria dhe sa e kanë shfrytëzuar mundësinë për të rritur me 30% shkallën e taksës apo për ta ulur po me 30% këtë shkallë. Së fundmi bashkive u është nisur një shkresë ku u është kërkuar që të njoftojnë lidhur me vendimet që kanë marrë në Këshillat Bashkiakë në respekt të taksës së ndërtesës dhe më pas, kjo të koordinohet dhe me prefekturën për të parë legjitimitetin e plotë të të gjithë vendimeve.

Bashkitë, një pjesë aktive në terren me verifikimet, regjistri ende larg finalizimit

Taksa e pronës në vetvete është një taksë nga e cila përfiton drejtpërdrejt buxheti i vendorëve. Potenciali i kësaj takse sipas Drejtorisë së Taksës së Pronës dhe Pasurisë, është që të arrijë në rreth 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke u garantuar kështu bashkive atë pavarësi financiare që lakohet shpesh. Kjo sigurisht shihet me një efekt zinxhir që do të përkthehet në investime dhe rritje të vlerës së pronës për qytetarët.

Gjithsesi, përtej entuziazmit të më shumë burimeve, bashkitë sot ende vijojnë të mbeten të paorganizuara apo me praktika të paunifikuara në funksion të mbledhjes së të dhënave, regjistrimit të tyre në sistem dhe verifikimit për të plotësuar me komponentët e nevojshëm, si sipërfaqja e njësisë pronësore, zona ku pozicionohet apo pronari i saj. Finalizimi i sistemit në formën e tij më të mirë pritet të jetë në vitin 2021. Aktualisht, bashkitë kanë akses në sistem për të hyrë dhe për të bërë korrigjimet e nevojshme, por vetëm një pjesë e tyre janë të aktivizuara, duke u loguar për të hedhur të dhëna. Një pjesë tjetër janë ende pasive, por janë më aktive në terren. E vërteta është që për të pasur një regjistër qendror do të duhen ende edhe shumë vite.

Çmimet referuese konsiderohen të ulëta, do të shkohet te vlera reale e tregut

Qeveria miratoi një vit më parë çmimet referuese për të gjithë Shqipërinë që shërbejnë si bazë për llogaritjen e taksës së pasurisë. Për Drejtorin e Taksës së Pronës dhe Pasurisë, niveli aktual i çmimeve të referencës do të përllogaritet saktësisht në vijim sipas regjistrimit shitblerjeve në tregun e pasurive të paluajtshme. Në momentin që do të ketë një konsolidim të të dhënave në funksion të saktësimit të çmimit të referencës do të bëhen propozime për VKM të re, që synon pikërisht shkuarjen drejt vlerës reale.

Një tjetër tregues që duket se do të ndikojë te rritja e çmimit të referencës është edhe përfshirja e truallit në vlerën finale të një njësie pronësore. Nëse flasim për një shtëpi private, trualli nuk mund të konsiderohet i ndarë. Nëse flasim për një objekt shumëkatësh, trualli do të përfshihet në çmimin final të njësisë në përpjesëtim me hapësirën që ka çdo njësi pronësore.

Një nivel takse i lartë mund të dekurajojë qytetarët që ta paguajnë. Ndërsa në afatgjatë, kjo mund të ketë sens, në afatshkurtër duhet të parashikohet në vlera më modeste me një koeficient taksimi më të ulët se 0.05% në mënyrë që të krijohet fillimisht kultura e pagesës së kësaj takse që në një pjesë të mirë nuk është arkëtuar duke regjistruar nivele deri në 0.3% të PBB.

Ndërtuesit: Taksa do të ketë efekt, por nuk do të ndihet prej të stokut të ulët

Qeveria vendosi që të taksonte për herë të parë edhe karabinatë në rastet kur ishin kaluar afatet e lejeve të dhëna nga institucionet. “Vlera e bazës së taksës së ndërtesës llogaritet për të gjithë ndërtesën, kur është një njësi e vetme dhe e destinuar për një qëllim të vetëm përdorimi, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet ndërtesa e papërfunduar.

Baza e taksës së ndërtesës llogaritet në masën 30 (tridhjetë) për qind të shkallës së taksës të përcaktuar me ligj, shumëzuar me koston e ndërtimit të parashikuar në lejen e miratuar të ndërtimit”, thuhet në vendim. Sot në sistemin ku janë të regjistruar njësitë pronësore është e paqartë sesa prej tyre janë ndërtime të papërfunduara.

Lidhur me taksimin e stokut të apartamenteve të pashitura, ndërtuesit nënvizojnë se taksa sipas metodologjisë së re do të ketë efekt, por ai nuk do të ndihet për shkak të stokut të ulët.