Mbyllet sot deklarimi online i dëmeve nga tërmeti

Mbyllet sot afati për aplikimin online të familjeve të prekura nga tërmeti në platformën “Shtëpia ime”. Ministria e Zhvillimit tha se deri tani online kanë deklaruar dëmet 40 mijë familje.

Procesi i aplikimit online nisi 1 muaj më parë, ndërsa sot është dita e fundit e deklarimeve. Aplikimi online është i detyrueshëm për qytetarët e dëmtuar, pasi kjo i jep mundësi atyre të deklarojnë sipas akt-konstatimeve dëmet nga tërmeti. Përveç akt-konstatimeve, qytetarët duhet të dorëzojnë edhe dokumentacionin e banesës.

Në mbyllje të procesit të aplikimit online, dosjet e dorëzuara do të verifikohen, për të kaluar në hapat e tjerë të programit të rindërtimit.

Sipas të dhënave të ministrisë së Zhvillimit 15 deri në 20 për qind të banesave të dëmtuara nuk kanë akte konstatimi, apo asnjë dokument tjetër. Për këto raste parashikohet që vlerësimi do të kryhet nga inxhinierët e bashkisë dhe anëtarë të tjerë të komisionit.

Qeveria parashikon me programet e rindërtimit që 115 pallate të shemben, për t’u rindërtuar banesa të reja në 26 zonat e zhvillimit të identifikuara deri tani.

Banesat që kanë nevojë të riparohen, programi i rindërtimit parashikon që 50 për qind e kostos së shpenzimeve do të përballohen nga shteti, kurse pjesa tjetër do të kompensohet. Qeveria parashikon që kompensimi të jetë nga 100 mijë lekë deri në 500 mijë lekë, për shtëpitë e klasifikuar si DS1, DS2 dhe DS3.

Sa pallate dhe shtëpi u dëmtuan nga tërmeti

Sipas të dhënave që jep Ministria e zhvillimit, pas tërmet në terren u inspektuar rreth 51 mijë ndërtesa, ku 8500 ishin të banueshme.

Banesa me dëmtim të lehtë, DS1 janë 6.089; me dëmtim mesatar dhe serioz DS2 janë 5.402; me dëmtim mesatar dhe serioz DS3 janë 3.875; me dëmtim të rëndë DS4 janë 4.475 dhe me dëmtim DS5 janë rreth 1.400 banesa.

Nga tërmeti në total rang vendi u dëmtuan 357 pallate me sipërfaqe rreth 275 mijë m2.  Numri më I lartë i lartë I pallateve të dëmtuara ishte në Krujë me 96. Nga pallatet e dëmtuara 115 prej tyre do të shemben, ku numri më i lartë është në Shijak me 32 pallate dhe 22 të tjera që do të shemben në Kurbin. Në Durrës do të shemben 5 pallate.

Nga tërmeti u dëmtuan edhe shtëpitë individuale. Nga të dhënat rezulton se rreth 1.500 shtëpi individuale do të shemben. Numri më i lartë është në Krujë me 819 shtëpi.