Kategoritë që përfitojnë subvencion për qiranë e banesës

Këshilli i Ministrave ka vendosur rregulla për ndihmën ekonomike nga buxheti i shtetit për kategori të caktuara familjesh e qytetarësh, të cilët banojnë në banesa që nuk janë pronësi shtetërore (banesa sociale).

Qëllimi i vendimit të djeshëm është përcaktimi i kritereve për dhënien e subvencionimit të qirasë të banesave, nëpërmjet buxhetit të shtetit, për individët/familjet, që gëzojnë përparësi në përfitimin e programit të strehimit social.

Përfituesit


Përparësi në subvencionimin e qirasë, sipas sistemit të pikëzimit, kanë, por pa u kufizuar në to, kategoritë e përcaktuara në nenet 33 dhe 34/3 të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, përfshirë individët, që dalin nga sistemi i përkujdesjes alternative, si më poshtë vijon: Individët me statusin e jetimit; personat me aftësi të kufizuar; të moshuarit; invalidët e punës; familjet e policëve të rënë në detyrë; emigrantët e rikthyer; punëtori emigrant; azilkërkuesit; familjet e komunitetit rom; familjet e komunitetit egjiptian; viktimat e dhunës në familje; viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit; prindërit e vetëm, që kanë në ngarkim fëmijë; individët, që i përkasin komunitetit LGBTI; të miturit, 14-18 vjeç, dhe të rinjtë, 18-21 vjeç, në konflikt me ligjin; vajzat nëna, pas daljes nga programi i banesave sociale të specializuara; familjet me statusin e qiramarrësit në banesa ish-pronë private, sipas Aktit Normativ me Fuqinë e Ligjit nr.3, datë 1.3.2012.

Radha


Radha e përparësisë së këtyre kategorive përcaktohet në përputhje me sistemin e pikëzimit, që miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Pesha e pikëve varet nga përqindja që zë secila kategori ndaj totalit, bazuar në numrin e përgjithshëm të aplikimeve të këtyre kategorive.

Ministria përgjegjëse për strehimin përcakton kategoritë që gëzojnë përparësi për përfitimin e subvencionimit të qirasë, kur financon ose bashkëfinancon nga buxheti i shtetit. Përparësitë përcaktohen çdo vit, bazuar në prioritetet e programeve qeveritare.

Përfitimi


Masa e subvencionimit të qirasë për çdo individ/familje llogaritet si diferenca ndërmjet qirasë reale, që paguan familja, dhe aftësisë së individit/familjes për të përballuar pagimin e qirasë, e cila llogaritet për 12 muajt e fundit. Qiraja reale nuk mund të jetë më e lartë se qiraja mesatare.

Masa e subvencionimit të qirasë është: e plotë, për të gjithë vlerën e qirasë të përcaktuar për familjet pa të ardhura; e pjesshme dhe në raport të zhdrejtë me të ardhurat mesatare të individit/familjes. Kur subvencioni i qirasë është i pjesshëm, shihet mundësia e uljes së tij pas tre muajve, në varësi të të ardhurave që mund të vijnë nga punësimi apo burime të tjera të ligjshme për individët/familjet që përfitojnë prej tyre.

Nuk përfitojnë asgjë familjet me të ardhura mujore mesatare që shpenzojnë më pak se 25% të të ardhurave mujore për pagesën e qirasë. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.