Drafti si do funksionojë faturimi elektronik

Ministria e Financave ka përgatitur projektligjin “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit” si dhe një sërë ndryshimesh ligjore në ligjin për “procedurat tatimore”, për TVSH-në, të cilat synojnë një revolucion në mënyrën se si do të realizohet faturimi i bizneseve, që tashmë do të jenë vetëm elektronike.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit”, Ligji i ri parashikon detyrimin e aplikimit të faturës elektronike dhe regjistrimin e pagesave të faturave pa para në dorë, si një fushë e re dhe deri më tani e parregulluar.

Aktualisht, bizneset i plotësojnë faturat me dorë, nga blloku i faturave tatimore që blejnë nga Tatimet, ndërsa subjektet e mëdha kanë të miratuara nga Tatimet modele faturash elektronike që u mundësojnë të printojnë faturat direkt nga financat. Në fund të çdo muaji, bizneset i deklarojnë faturat në librat e shit-blerjes në bazë të së cilës paguajnë TVSh (ose kërkojnë kreditim TVSH-je), ndërsa kasa fiskale raporton në mbyllje xhiron ditore. Me këtë sistem bizneset kanë mundësi që të shtyjnë deklarimin e faturave (psh kur nuk kanë mundësi të paguajnë TVSH-në).

Me sistemin e ri, bizneset do të lëshojnë vetëm fatura elektronike, ku për subjektet që janë biznes i vogël, procedurat do të jenë më të thjeshtuara. Bizneset duhet të regjistrojnë të dhënat e kërkuara dhe sistemi i Administratës Tatimore do të gjenerojë shifrën e operatorit, i cili do të shoqërohet me numrin e tij personal të identifikimit, nëse operatori është person fizik, ose me numrin e identifikimit tatimor, nëse është person fizik që ushtron veprimtari kontabël.

Ligji i ri parashikon që Subjekteve që lëshojnë fatura, të cilët janë të regjistruar në Regjistrin Tregtar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe në Administratën Tatimore, në përputhje me ligjet e veçanta, në mënyrë automatike do t’u ngarkohet edhe detyrimi për të lëshuar faturë, në regjistrin e tatimpaguesve që mban Administrata Tatimore.

Subjekti që lëshon fatura gjatë lëshimit të secilës faturë, i nënshkruan në mënyrë elektronike dhe i dërgon ato në Administratën Tatimore, nëpërmjet lidhjes elektronike (internet). Ministri i Financave, me udhëzim përcakton formën dhe strukturën e mesazheve së bashku me elementet e detyrueshme të faturës që dërgohen në Administratën Tatimore.
Administrata Tatimore kontrollon nëse janë dërguar të gjitha elementet e përcaktuar të faturës, nëse ato janë nënshkruar me nënshkrim elektroni duke përdorur certifikatën e saktë dixhitale, të përmendur në nenin 21, të këtij ligji, dhe kryen kontrolle të tjera mbi saktësinë e faturës, etj.
Ligji vendos dhe kufizime për maksimumin e arkës që mund të mbajë një biznes, ndërsa pjesa tjetër duhet derdhur në bankë. Maksimumi i arkës është shuma maksimale e parave në dorë që një biznes mund të mbajë në arkë në fund të orarit të punës.

Maksimumi i arkës përcaktohet me një akt të brendshëm dhe përmban:
– subjektet mikro, personat fizik 150,000 lekë,
– subjektet e vogla 500,000 lekë,
– subjektet e mesme 800,000 lekë,
– subjektet e mëdha 1,700,000 lekë.
Përtej kësaj shume, subjekti që lëshon faturë detyrohet që paratë në dorë, mbi nivelin e caktuar maksimal të arkës, që ka pranuar gjatë ditës mbi çfarëdo baze, të paguajë në llogari në bankë në të njëjtën ditë, por jo më vonë se ditën e ardhshme të punës.

Regjistrimi i bizneseve të vogla

Sipas ligjit, subjektet që lëshojnë faturë, rezidentë të Republikës së Shqipërisë, të cilët konsiderohen subjekt i regjimit të bizneseve të vogla (realizojnë qarkullim vjetor nën kufirin e përcaktuar), në bazë të ligjit për TVSH-në, dhe nuk janë të regjistruar si pagues të tatimit mbi fitimin ose të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, sipas ligjeve të veçanta, janë të detyruar të njoftojnë Administratën Tatimore në mënyrë elektronike, duke përdorur shërbimet elektronike të Administratës Tatimore, apo në raste të veçanta, personalisht në degën përkatëse të Administratës Tatimore, sipas vendit të regjistrimit, vendbanimit ose vendqëndrimit të rregullt, mbi fillimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve mbi të cilën bazë do të bëhet subjekt i lëshimit të faturave, në përputhje me këtë ligj, dhe jo më vonë se 24 orë përpara lëshimit të faturës së parë.
Administrata Tatimore, për të gjithë personat biznes i vogël, do të kryejë regjistrimin e detyrimit për lëshim të faturave në regjistrin e saj. Në këtë rast, tatimpaguesi nuk do pajiset me vërtetim apo numër fiskal të veçantë, por gjatë lëshimit të faturave, ai do të përdorë numrin unik të identifikimit të tij.

A duhen ndryshuar kasat?!

Ligji parashikon, që prodhuesi dhe/ose mirëmbajtësi i zgjidhjes softuerike detyrohen të regjistrohen në regjistrin e prodhuesit dhe/ose mirëmbajtësit të programeve softuerike në Administratën Tatimore, në mënyrë elektronike, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së ofrimit të kësaj zgjidhje softuerike ose shërbimeve të mirëmbajtjes në territorin e Republikës së Shqipërisë.


Të gjithë subjektet e tjera që lëshojnë fatura, detyrohen të sigurojnë që pajisjet fiskale të përmendura të lejojnë përdorimin e zgjidhjes softuerike, edhe mbështetjen softuerike për nënshkrimin elektronik të faturës dhe lidhjen (internet) për shkëmbim elektronik të të dhënave me Administratën Tatimore, me qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të faturave të lëshuara.


A do të thotë kjo që duhen ndryshuar kasat fiskale? Burimet nga financat thanë se programet do të duhet të përshtaten me kërkesat e ligjit të ri.

Fatura për pagesë me para në dorë

Fatura për pagesë me para në dorë, duhet të shtypet në letër me të gjitha të dhënat e nevojshme të faturës dhe t’i nënshtrohet procedurës së fiskalizimit, sipas këtij ligji, dhe t’i dorëzohet blerësi në momentin e furnizimit të mallrave ose ofrimit të shërbimeve.

E-Fatura për pagesa pa para në dorë
Fatura, e cila lëshohet për furnizimin e mallrave ose kryerjen e shërbimeve në transaksionet në të cilat shitësi dhe blerësi janë pagues të tatimin e thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël ose tatimpagues të cilët janë subjekt i TVSH-së, në përputhje me ligjet e veçanta, duhet të lëshohet, dërgohet dhe pranohet si e-Faturë, në përputhje me nenin 30, të këtij ligji, nëse fatura është paguar ose do të paguhet pa para në dorë.

E-Fatura në procedurat e prokurimit publik


Faturat që lëshohen në bazë të një kontrate të prokurimit publik ose marrëveshje kuadër, të lidhura në bazë të ligjit të veçantë që rregullon prokurimin publik, duhet të lëshohen, të dërgohen dhe pranohen si e-Faturë.

Regjistrimi i faturave në librin e shitjes dhe librin e blerjes

Duke u mbështetur në të dhënat e paraqitura në Administratën Tatimore për të gjitha faturat e shitjes dhe blerjes, nëpërmjet procedurës së fiskalizimit të faturave, për çdo subjekt që lëshon faturë në pajtim me këtë ligj, sistemi i informacionit i Administrata Tatimore do të gjenerojë një libër të faturave të shitjes dhe blerjes, e cila do të jenë në dispozicion në shërbimin elektronik të Administratës Tatimore, në llogarinë e përdoruesit.


Çdo subjekt që lëshon faturë detyrohet që deri në ditën e 14 të muajit, për muajin paraardhës, të shqyrtojë të dhënat në librin e shitjes dhe blerjes të përmendura në pikën 1 të këtij neni, dhe nëse është e nevojshme t’i ndryshojë, plotësojë ose organizojë ato fatura që kanë mbetur të pashpërndara dhe që nuk janë regjistruar në librin shitjeve dhe blerjeve, si dhe pas përfundimit të kësaj procedure, të konfirmojë saktësinë e të dhënave.


Libri i faturave të shitjes dhe blerjes në shërbimin elektronik të Administratës Tatimore, duhet të jetë në dispozicion brenda afatit kohor të përcaktuar për ruajtjen e faturave.
Ministri i Financave, më udhëzim përcakton përmbajtjen e librit të shitjes dhe blerjes, procedurat e regjistrimit, ndryshimit dhe plotësimit të të dhënave në librin e shitjes dhe blerjes dhe procedurat tjera nga ky nen.

Relacioni shpjegues, pse po futen faturat elektronike

Ky ligj rregullon këto çështje themelore: detyrimin për të lëshuar faturë në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, subjektet e lëshimit të faturës, përmbajtjen e faturës, procedurën e lëshimit të faturës, detyrimin për të aplikuar faturën elektronike në transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe në procedurat e prokurimit publik, zbatimin e procedurës së fiskalizimit të faturës, regjistrimin e prodhuesve dhe mirëmbajtësit e softuerve për lëshimin e faturave, procedurën për regjistrimin e pagesave pa para në dorë të faturave të lëshuara, detyrimin për të lëshuar faturë shoqëruese dhe zbatimin e procedurës së fiskalizimit e faturës shoqëruese dhe dispozita të tjera thelbësore për mbikëqyrjen dhe zbatimin e këtij ligji.
Kjo zgjidhje ligjore mundëson transparencë më të madhe, rritje të të ardhurave të përgjithshme tatimore dhe ulje të evazionit fiskal, si dhe kontribuon në ngritjen e ndërgjegjësimit për të paguar tatimet nëpërmjet të dhënave të specifike të siguruara nga Administrata Tatimore, ndër të tjera, edhe me qëllim parandalimin e pastrimit të parave. Administrata Tatimore do të ketë informacion dhe pasqyrim për secilën faturë të lëshuar dhe të paguar me para në dorë ose në mënyra tjera, në kohë reale, nëpërmjet një lidhjeje interneti me tatimpaguesin, institucionet financiare ose ndërmjetësit financiarë.
Ministria e Financave e Republikës së Shqipërisë, thuhet në relacion ka njohur rëndësinë e futjes së lëshimit të faturave në mënyrë elektronik për biznesin, nëpërmjet shfrytëzimit të të gjitha përparësive që teknologjia mundëson, përshpejton dhe automatizon proceset e punës, ul kostot e biznesit, realizon kursime të konsiderueshme dhe potencialisht krijon një vlerë të shtuar në veprimtarinë e biznesit, si dhe në administratën shtetërore.

Ministria e Financave ka njohur rëndësinë e nevojës për harmonizimin e legjislacionit kombëtar me Direktivën e Këshillit 2014/55/KE dhe Direktivën e Këshillit 2006/112/KE, për arsye të nevojës për të reduktuar dhe eliminuar pengesat në tregtinë ndërkufitare në Bashkimin Evropian.


Në Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, aktualisht është duke u përdorur një standard i përbashkët evropian i Komitetit Evropian për Standardizim (CEN), datë 28.06.2017, EN 16931-1: 2017, Fatura Elektronike, për modelin e të dhënave semantike të elementeve bazë të faturës elektronike (“standardi evropian për lëshimin e faturave elektronike”), më tej referuar si “Standard evropian”. Në këtë standard, i cili nga ana e teknologjisë është neutral, janë përcaktuar elementet bazë të cilat fatura elektronike duhet gjithmonë të përmbajë, duke lehtësuar kështu dërgimin dhe marrjen e faturave elektronike ndërmjet sistemeve të bazuara në standarde të ndryshme teknike, me qëllim të heqjes ose reduktimit të pengesave për tregtinë dhe sigurimin ndërkufitar të interoperabilitetit semantik dhe për ngritjen e sigurisë ligjore.

HAPAT për lëshimin e faturës dhe zbatimit të procedurës së fiskalizimit


1. Pajisja me certifikatë nga AKSHI,
2. Pajisja në treg me pajisje elektronike të faturimit ose pajisje tjetër, e cila përmban një program softueri që mundëson nënshkrimin elektronik të elementeve të faturës dhe shkëmbimin elektronik të të dhënave me Administratën Tatimore,
3. Nxjerrja e aktit të brendshëm (ku përcakton mënyrën e numërimit të faturave dhe përpilon listën e vendndodhjes/vendndodhjeve ku ushtrohet veprimtaria ekonomike),
4. Përshtatja e përmbajtjes së faturës me rregullat e Administratës Tatimore,
5. Afishimi i njoftimit në secilën pajisje të faturimit ose në një vend tjetër të dukshëm në vendndodhjen e biznesit, që tregon detyrimin për të lëshuar faturën, si dhe detyrimin e blerësit për marrë dhe ruajtur faturën,
6. Dërgimi i të dhënave në Administratën Tatimore për vendndodhjen e biznesit në të cilin kryhet veprimtaria ekonomike, operatorët dhe mirëmbajtësi i softuerit,
7. Kryerja e vërtetimit të dëftesave në Administratën Tatimore, dhe
8. Nxjerrja e aktit të brendshëm në lidhje me maksimumin e arkës.